Shuhet legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer

Legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare. Një nga njerëzit më të mëdhenj të të gjitha kohërave në botën e futbollit ka mbyllur sytë përgjithmonë, të dielën.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se bashkëshorti im dhe babai ynë, Franz Beckenbauer, vdiq i qetë në gjumë dje, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne kërkojmë që ju të jeni në gjendje të mbani zi në heshtje dhe të përmbaheni nga pyetjet”, – njoftoi familja.

Beckenbauer, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit. Në karrierën e tij, ai ka fituar Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner.

Beckenbauer luajti 104 ndeshje me Gjermaninë dhe fitoi Kupën e Botës në vitin 1974. Këtë sukses e përsëriti si trajner në Itali 16 vite më pas.

Por jeta e tij kishte pasur disa ulje ngritje. Beckenbauer kishte vite që ishte tërhequr nga jeta publike. Kjo, për shkak të vdekjes së djalit të tij Stefan në vitin 2015 e sidomos pas akuzave për ryshfete që kishte marrë në periudhën kur ai ishte drejtues i Komitetit Organizator të Botërorit 2006.

Një tjetër arsye ishin edhe problemet e shumta shëndetësore të viteve të fundit.