“Jam bërë të vras veten tani”, mbetet në burg Xhemal Loka, burri tregon “porosinë” që i kishte lënë nga Greqia gruas së tij

Zbardhet dëshmia e Xhemal Lokës në sallën e gjyqit, i cili akuzohet se shtyu drejt vetëvrasjes gruan e tij Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve.

Ai ka thënë se 41-vjeçarja ka marrë vazhdimisht kërcënime, duke i publikuar foto të dytë në muajin maj.

Më tej Xhemal Loka ka thënë se e kishte porositur gruan e tij të mos dilte vetëm por e shoqëruar me një prej 4 fëmijëve.

Sakaq gjykata e Durrësit, e la atë nën masën “arrest me burg”, edhe pse ai kërkoi masë më të butë.

“Nuk jam dakord me prokurorin. Nuk janë në dijeni për problemet tona. Kemi pas kërcënime. Nusja ime është kërcënuar. Edhe unë me telefon në 2 të natës në Greqi. Muhamet Bushi, vëllai i nuses time ka qenë në dijeni dhe për kërcënimet që ka pasur. I nxorën dhe një foto të dytë në maj ku i thonin që nuk kemi mbaruar akoma. Nuk arrita ta kuptoj që do arrinte këtu.
I kisha kërkuar që të mos dilte e pashoqëruar nga njëri prej fëmijëve. Djali e kishte gjet në orën 5 të mëngjesit zgjuar dhe e kishte pyetur ç’po bën dhe ishte në internet. Ajo është nëna e 4 fëmijëve të mi. Gjithçka e kam lënë në emër të saj. Denoncimin në polici për foton e ka bërë por nuk e di ku ka ngecur hetimi. Jam bërë me vra veten tani. Kam 4 fëmijë rrugëve. Kërkoj detyrim paraqitjeje se ata fëmijë duan të hanë bukë.“-ka deklaruar ai.

Bedrie Loka i dha fund jetës së saj më 2 janar duke pire fotoksinë, në banesën e saj në Sukth. Fillimisht u tha se 41-vjeçarja shkoi drejt aktit ekstrem për shkak të një profili fals në Tik Tok ku denigrohej figura e saj.

Por një ditë pas publikimit të lajmit, policia arrestoi bashkëshortin e saj Xhemal Loka, i cili dyshohet se e ka shtyrë nënën e 4 fëmijëve drejt vetëvrasjes.

Nga hetimet doli në pah se ai e dhunonte psikologjikisht në mënyrë rë vazhdueshme 41-vjeçaren. Madje disa ditë para ngjarjes së rëndë, e kishte kërcënuar me thikë për ta vrarë.

Pranë banesës së tyre, 45-vjeçarit iu sekuestruan një armë zjarri dhe municion luftarak.