Celibashi nuk i ndërpreu mandatin Kreshnik Hajdarit, KAS: KQZ ta shqyrtojë sërish, duhet verifikim i thelluar

KAS ka vendosur që të pranojë ankimimin e bërë nga Lefter Maliqi, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kuçovë, ndaj kryetarit të kësaj bashkie Kreshnik Hajdari.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi që KQZ të shqyrtojë sërish mandatin e Hajdarit, duke kërkuar verifikim të thelluar.

Hajdari është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “falsifikim i formularëve të vetëdeklarimit”.

Ai akuzohet se nuk ka deklaruar se ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat greke për “kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjykata e Janinës e ka dënuar me 4 muaj burg, por dënimi i është konvertuar me gjobë 1500 dhrami. Dënimin, Hajdari nuk e deklaroi pavarësisht se kandidoi në zgjedhjet e 14 majit, ku u shpall fitues.

Ndërkohë kreu i KQZ ilirjan Celibashi, në një vendim të datës 14 nëntor 2023 nuk i ndëpreu mandatin Hajdarit, me pretendimin se nuk ka shkak ligjor.