Politikani serb Nikola Sanduloviç është rrahur brutalisht pas homazheve që kreu në varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe kërkimit të faljes për krimet e serbëve në Kosovë.
Ka qenë bashkëshortja e tij që ka akuzuar Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA) se i kanë dhunuar bashkëshortin, ndërkohë që dyshohet se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiç, organizatori dhe udhëheqësi i sulmit terrorist të ndodhur në Banjskë disa muaj më parë.
Bojana Sanduloviç e ka gjetur bashkëshortin në një spital, të dhunuar sipas saj me grushte, shkelma dhe sende të forta, përfshirë qytat e pistoletave.
“Këtu keni foto ekskluzive të Nikollës pasi ajo doli nga VMA sot dhe erdhi në shtëpi. Shkaku i rrëmbimit dhe përdorimi i forcës brutale nga policia sekrete serbe – BIA, në fakt ishte video e publikuar nga shtrimi i luleve në memoriali i familjes së vrarë dhe masakruar Jashari në Prekaz gjatë vitit 1998, të cilin e kanë treguar gjatë rrahjeve me pistoleta, grushte, shkelma dhe shkelma me këmbë, në kokë”, tha bashkëshortja Bojana Sanduloviç.
Politikani serb është kthyer në shtëpi, por është në gjendje të palëvizshme, teksa dyshohet se ai është helmuar me gaz nervor. “Ai ka mbetur i palëvizshëm, gjithçka duket se ai është helmuar me agjent nervor”, shkruan vajza e tij, Klara Sanduloviç.