Gjykata e Posaçme shtyn sërish shpalljen e vendimit për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për shpalljen e vendimit për kërkesën e SPAK për të vendosur nën masë sigurie “arrest shtëpie” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjyqtarja Irena Gjoka njoftoi se do të shpallë të shtunën në orën 12:00 vendimin, teksa në seancë nuk ka qenë i pranishëm vetë Berisha, por është përfaqësuar nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet për “shpërdorim detyre” në privatizimin e kompleksit Partizani, ndërkohë që në “arrest shtëpie” është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, për të njëjtën çështje.

Avokatët e Berishës kanë kërkuar disa herë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga kjo çështje, pasi sipas tyre, ajo është në konflikt interesi për shkak se është shkarkuar nga detyra në vitin 1996, kur Berisha ishte në krye të KLD-së.