Ish kryeministri Sali Berisha ishte sot në një aktivitet të quajtur “Gratë në Aksion për Shqipërinë – O sot, o kurrë”, ku u shpreh se parlamenti në Shqipëri nuk ekziston më.
Berisha tha se kjo nuk është beteja e mazhorancës kundër tij, por e tij kundër tyre.
Ai u shpreh se i detyroi vetë që të ndjekin çdo hap në rrugë antikushtetuese dhe antiligjore sepse ata janë të trembur nga opozita që nuk e kontrollojnë dot më.
“Shqipëria sot është në një monizëm më të fuqishëm se ai që rrëzuam”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e ish kryeministrit:
Sot, në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm, ua them me përgjegjësi të plotë, se ai që rrëzuam në vitin 1990-1991. Sot, liritë politike të popullit opozitar janë absolutisht de facto të asgjësuara. Sot, çdo formë shteti që të pret liritë, është pushtim i brendshëm apo i jashtëm. Dhe mund t’u them se në histori janë të rralla kombet që kanë përjetuar pushtime më të shumta se ne. Por asnjëri prej këtyre pushimeve nuk ka spastruar në 9 vite, 35 përqind të kombit shqiptar. Kurrë dhe asnjëherë. Ju jeni nëna, motra, vajza, gjyshe, jeni kontributore kryesore në epokën që është mbyllur. Me shumë të drejtë mund të shtroni pyetjen: po mirë, ju thoni se epoka që solli PD u mbyll.
Çfarë mbetet për ne demokratët? Gjithnjë do i përmbahemi të vërtetës. Për ne demokratët mbeten vetëm dy gjëra. Mbetet trashëgimia jonë, thashë edhe njëherë, ne sollëm epokën më të ndritur në historinë e këtij kombi. Por, ne sot këtu ku jemi, jemi para një vendimi të parë ose të dytë të jetës sonë. Të parë, për vajzat e reja që në vitet 1990 nuk kanë pas lindur akoma ndoshta, të dytë për ne të tjerët, që në vitin 1990 u ngritëm dhe rrëzuam diktaturën. Pra, për të përmbysur këtë diktaturë.