Zbulohet masa, SPAK do të kërkojë javën e ardhshme “arrest shtëpie” për Sali Berishën

Pasi Kuvendi I hoqi ditën e djeshme imunitetin e deputetit Sali Berishës, SPAK pa humbur kohë ka dorëzuar në GJKKO kërkesën për masën ndaj ish kryeministrit.

Mësohet se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të kërkojnë “arrest shtëpie” për Sali Berishën.

Seanca për zëvendësimin e masës  “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes nga shteti, pritet të zhvillohet në datën 26 dhjetor, ora 10:00.

Ish kryeministri e ka quajtur këtë proces, një hakmarrje të pastër nga Edi Rama, ndërsa u ka kërkuar mbështetësve demokratë të protestojnë në Kuvend në çdo seancë, pasi sipas tij po shkelet Kushtetuta.

Njoftimi nga SPAK

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

2. Bazuar në nenin 260 pika 4 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 26.12.2023 ora 10:00.

Tiranë, më datë 22.12.2023

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar