Me snajper në makinë, gati për vrasje, 23 vjeçari u shpëton policëve në Kurbin dhe rrezikon jetët e tyre

Një 23-vjerçar i cili sipas policisë ishte gati për të kryer një vrasje, është shpallur në kërkim, pasi ka arritur t’i shpëtojë policisë mbrëmjen e kaluar.

Orgest Mehi u pa dje tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i Fushë Kuqes” në Kurbin ku 23-vjeçari ka rrezikur jetën e policëve.

Në mesnatë shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohet se po qarkullonte 23-vjeçari që do të kryente vrasje. Por ai sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka rritur shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe në fshatin Gurëz ka braktisur makinën dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri snajper me precizion të lartë, me një krehër me fishekë në të dhe një çantë me fishekë të tjerë për këtë armë.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për këtë rast, u vu në pranga një i ri ndërsa u shpall në kërkim një tjetër pasi të dy dyshohen si bashkëpunëtorë të 23 vjeçarit.

Forcat e Sigurisë Kombëtare, ato të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin vijojnë kontrollin e zonës, për kapjen e shtetasve O. H. dhe Gj. M.