Arben Ahmetaj, i cili ndodhet prej disa muajsh në arrati, pritet të humbasë mandatin e tij të deputetit, të siguruar në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Kjo pasi ish-numri dy i qeverisë Rama nuk është paraqitur në Kuvend në 6 muajt e fundit.
Seanca e 6 Korrikut ishte e fundit kur Ahmetaj është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë. Më tej ai u arratis pasi Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e tij, pas kërkesës së SPAK në lidhje me disa akuza që rëndojnë ndaj tij, lidhur me inceneratorët.
Sipas përcaktimeve kushtetuese kjo e shtunë, 6 Janar është dita e fundit që Ahmetaj mund të gëzojë mandatin e deputetit dhe më pas pritet shpallja e pavlefshmërisë së mandatit të tij.
Por kush pritet të marrë mandatin e tij?
Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore. Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Në rast se Bici do të refuzojë marrjen e mandatit, atëherë KQZ do të duhet të njoftojë kandidatin e radhës, Plarent Ndreca.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë disa akuza se ajo e “mosdeklarimit të pasurisë”, “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Megjithatë në disa reagime që Ahmetaj ka bërë në rrjete sociale, i ka hedhur poshtë duke e konsideruar veten të pafajshëm.
Por si të mos mjaftone kjo, më 8 tetor 2023 Prokuroria e Posaçme ngriti një tjetër akuzë për “shpërdorim detyre”, ndaj Ahmetajt, për një tjetër çështje që lidhet me privatizimin e ish Fabrikës së Bukës në Tiranë.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar teksa ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i tij dhe përballja me drejtësinë.