300 miliardë USD të Rusisë të bllokuara në bankat e huaja do i jepen Ukrainës

Nga French Hill & Newt Gingrich “Fox News”

Përpjekja e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën, përbën një shkelje të qartë e rendit ndërkombëtar, i cili u krijua me themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945. Brutaliteti dhe egërsia e sulmit rus, është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar.

Forcat ruse kanë dhunuar dhe masakruar civilë, kanë rrëmbyer fëmijë dhe kanë bombarduar pa dallim civilët. Në Rusi dhe mbarë globin, persekutimi, burgimi dhe helmimi i kundërshtarëve politikë nga Vladimir Putin, e bëjnë edhe më të qartë sesi diktatura e tij vepron jashtë kufijve të sjelljes së qytetëruar.

Sipas çdo lloj standardi të besueshëm, Putin është një kriminel lufte. Ndërkohë, ka një kundërpërgjigje e qartë dhe jo të dhunshme ndaj këtij agresioni, që do ta dobësonte Putinin dhe forconte Ukrainën pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë.

Aktualisht në mbarë botën gjenden rreth 300 miliardë dollarë pasuri të Rusisë të ngrira në llogari të ndryshme bankare. Me vendosjen e sanksioneve efektive dhe përmes një fushatë diplomatike shumë aktive të SHBA-së, kjo shumë e madhe parash mund të transferohet në Ukrainë.

Në fakt, Rusia mund të detyrohet të paguajë dhe të ofrojë ndihmë ekonomike dhe humanitare për Ukrainën për të rindërtuar qytetet dhe fshatrat që ka sulmuar. Për këtë arsye, njëri nga ne dhe kongresmeni republikan  Majkëll Mekoll, kemi mbështetur Aktin e Rindërtimit të Prosperitetit dhe Mundësisë Ekonomike për Ukrainasit (REPO), për të sekuestruar asetet ruse dhe për t’i kthyer ato në një ndihmë për Ukrainën.

Senatori Xhim Rish ka depozituar një projekt-ligj të ngjashëm në Senat. Këto dy projektligje mund të bëhen ligje, nëse vetëm presidenti Xho Bajden do ta mbështeste këtë përpjekje. Në fakt, ai mund të miratohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe nga një shumicë e gjerë. Projektligji që ndodhet sot në Kongres, u miratua me 40 vota pro nga komisioni përkatës.

Ndërkohë projektligji në Senat u miratua nga komisioni përkatës me 20 vota pro. Gazeta Wall Street Journal e ka mbështetur fuqishëm konvertimin e aseteve ruse në ndihmë për Ukrainën. Më 21 shkurt, bordi i redaktorëve shkroi në një editorial:Zoti Bajden dhe vendet perëndimore kanë ngurruar të konfiskojnë rreth 300 miliardë dollarë nga fondet rezervë të Rusisë të ruajtura në institucionet financiare perëndimore.

Ato ishin ngrirë që kur Rusia pushtoi Ukrainë. Prej 2 vitesh nga kjo shumë po fitohen interesa. Por duket sikur deri tani Bajden dhe kancelari gjerman Olaf Sholc po i shohin këto para si një nxitje për Vladimir Putinin që të negociojë një marrëveshje paqeje dhe që ai t’i bashkohet botës së qytetëruar. Pra s’ka asnjë shenjë se Putin do të kënaqet me një paqe pas kapitullimit të Ukrainës…”.

Për këtë strategji financiare të përdorimit të burimeve të agresorit, ka një precedent të qartë. Shtetet e Bashkuara sekuestruan burimet financiare të të Irakut në vitin 1992 dhe të qeverisë afgane në  vitin 2022. Precedentët janë të qartë dhe për këtë plan ka një interes në rritje.

Një grup ekspertësh, përfshirë prokurorin demokrat Lorenc Trajb, shkruan së fundmi një analizë të detajuar prej 199 faqesh në mbështetje të kësaj nisme. Asetet e ngrira prej 300 miliardë dollarësh, thuhet se përbëhen nga 200 miliardë euro, 67 miliardë dollarë dhe 37 miliardë paund britanik.

Fondet përfaqësojnë rreth gjysmën e rezervave valutore të disponueshme të Rusisë. Edhe administrata e Bidenit ka filluar të afrohet me këtë ide. Në Samitin e G-20 në Sao Paolo të Brazilit, Sekretarja e Thesarit Xhenet Jellen tha:”Është e nevojshme dhe urgjente që koalicioni ynë të gjejë një mënyrë për të zhbllokuar vlerën e këtyre aseteve“.

Ajo shtoi se paratë mund të përdoren për rindërtimin e Ukrainës dhe rezistencën ndaj luftës së Putinit. Ilan Berman i Këshillit Amerikan të Politikës së Jashtme, argumentoi kohët e fundit se Kongresi duhet t’i japë administratës autoritetin që i nevojitet për të sekuestruar asetet sovrane (asete financiare dhe prona të paluajtshme).

Akti REPO siguron pikërisht këtë. Në rast se SHBA-ja e udhëheq këtë përpjekje, atëherë aleatët tanë evropianë mund të ndjekin shumë shpejt shembullin, dhe t’i japin Ukrainës një nxitje të konsiderueshme për moralin dhe efektivitetin në fushën e betejës. Ne biem dakord me Bermanin se sekuestrimi i fondeve ruse është një veprim shumë i dobishëm.

Por siç shkroi ai “në fund të ditës, për të siguruar fitoren e Kievit, nuk ka asnjë zëvendësues real ndaj një pakete të fuqishme ndihme ushtarake dhe ekonomike nga ana e SHBA-së”.

Ndihma amerikane mund të shtohet ndjeshëm me miliarda para ruse që do të përdoreshin nga ukrainasit. Kjo do të plotësonte shumë nga nevojat ekonomike të Ukrainës, por pa kosto për taksapaguesit amerikanë. Shtetet e Bashkuara nuk mund të presin vendimet e G-7 për të udhëhequr ose vepruar. Kongresi duhet të miratojë menjëherë Aktin REPO, dhe presidenti Bajden duhet ta nënshkruajë dhe ta zbatojë atë me shpejtësi.

Shënim:Newt Gingrich, kryetar i Kongresit të SHBA-së në vitet 1995-1999 dhe kandidat për nominimin presidencial republikan në vitin 2012.