“21 Janari”, e heton SPAK apo Prokuroria e Tiranës? Gjykata e Lartë shtyn vendimin, do të dëgjohen të gjitha palët

Gjykata e Lartë ka shtyrë vendimin se cila mes Prokurorisë së Posaçme apo Prokurorisë së Tiranës do të hetonte çështjen e “21 Janarit”, ku u vranë 4 protestues.

Gjyqtarët vendosën të dëgjojnë të gjitha palët përpara se të vendosin kujt do t’i kalojnë hetimet, për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, ndërkohë që seanca e radhës do të jetë e hapur.

“Shqyrtimin e çështjes me nr. 70022-00558-00-2023 akti, me datë regjistrimi 13.09.2023, në seancë gjyqësore me praninë e palëve më datë 12 Mars 2024, ora 13:00. Urdhërohet sekretaria pranë Gjykatës së Lartë që të njoftojë palët pjesëmarrëse në gjykim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës.

Më herët SPAK kishte shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kësaj çështje, por në Gjykatën e Lartë u dërgua rekurs nga familjarët e Aleks Nikës, i vrarë në atë protestë. Sipas tyre, çështja duhet të hetohet nga SPAK pasi kemi të bëjmë me krim shtetëror.