Pas protestave masive në të gjitha qytetet e Serbisë studentët serbë ndërmarrin një tjetër hap të fortë për rrëzimin e qeverisë së Aleksandër Vuçiç.
Që prej të premtes ata kanë nisur një ultra-maratonë për të vrapuar deri në Bruksel me qëllim që ta marrin vëmendjen e Bashkimit Evropian për përpjekjet e tyre disamujore kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Më shumë se 20 studentë janë nisur nga qyteti i Novi-Sadit për një ultra-maratonë që pritet të zgjasë 18 ditë. Të përkrahur nga qindra njerëz, studentët janë nisur drejt qytetit lindor të Osijekut në Kroaci, ndalesa e parë e tyre.
Studentët e universiteteve kanë qenë forcë kyçe mbrapa lëvizjes kombëtare kundër qeverisë në Serbi, duke lëkundur presidentin popullist, Aleksandër Vuçiç. Ai formalisht e ka shtyrë Serbinë drejtë anëtarësimit në BE, por është akuzuar për shkelje të të drejtave demokratike derisa i ka forcuar lidhjet me Kinën dhe Rusinë.
Shumë qytetarë pro demokracisë janë të zhgënjyer me atë që ata e shohin si përgjigje e butë e BE-së ndaj autoritarizmit të Vuçiçit.
Protestat në Serbi shpërthyen në fund të vitit të shkuar, kur si pasojë e shembjes së çatisë në një stacion treni në Novi-Sad vdiqën 16 persona. Studentët kanë protestuar pa ndalim në kërkim të përgjegjësisë penale dhe politike.