15 miliardë dollarë, rekord depozitash në banka. Pse shqiptarët po kursejnë?

Kursimet e shqiptarëve në sistemin bankar kanë arritur një rekord të ri gjatë vitit 2023. Banka e Shqipërisë njoftoi në raportin e fundit mbi stabilitetin financiar të 6 mujorit të parë të 2023, se totali i depozitave arriti në 1500 miliardë lekë, ose në 15 miliardë dollarë.

Kursimet e shqiptarëve në depozita shënuar kështu një numër rekord me një rritje afërissht 3 % më shumë se nga e njëjta periudhë më parë. Vërehet gjithashtu se ka një rritje më të madhe të depozitave në monedhë të huaj në sistemin bankar.

“Flukset mesatare mujore të depozitave të reja të individëve gjatë gjysmës së parë të vitit ishin përkatësisht 18 miliardë lekë (për depozitat në lekë) dhe 180 milionë euro (për depozitat e reja në euro). Flukset e reja në monedhën lek janë të krahasueshme me vlerën mesatare mujore të depozitave të reja gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, ndërsa flukset mujore në monedhën euro janë rreth 40 milionë euro më të larta”, thuhet në raportin e Bankës së Shqpërisë. Më tej, Banka shton se pritet të ketë sërish rritje të depozita në valutë të huaj përgjatë periudhës së mbetur të vitit 2023.  Duket, se pavarësisht forcimit të lekut, shqiptarët vijojnë ti besojnë euros për depozita kursimi.

Prej vitesh depozitat e shqiptarëve vijnë vetëm në rritje. Që pas vitit 2020, me rënien e pandemisë, depozitat kanë shënuar një rritje të mëdha. Ndërsa në krahun tjetër, kredia për investime nuk ka ndonjë rritje domethënëse, përveç një rritje të lehtë në kredinë për pasuri të patundshme si dhe kredia konsumatore për individë.

Rritja e depozitave të shqiptarëve në 3 vitet e fundit tregon ende për një situatë ku njerëzit nuk janë të gatshëm të investojnë. Me këtë sasi të akumuluar në sistemin bankar, mund të ishte një mundësi e mirë për investime përmes kreditimit por mesa duket edhe kjo nuk po ndodh.

Rritja e madhe e çmimeve që pas luftës në Ukrainë, shtuar edhe mbivlerësimin e madh të euros përgjatë vitit 2023, duket se ka stepur edhe më shumë ekonominë.

Forcimi i euros ka goditur industrinë eksportuese dhe turizmin, dy prej degëve të ekonomisë ku premtohet shumë në të ardhmen. Por mesa duket, I vetmi sektor që vijon të njohë rritje është ndërtimi dhe për momentin investimi në pasuri të patudshme duket se mundësia e vetme për shqiptarët që kanë disa lekë mënjane.